Eja nē namaz...!

Ezani, është thirrja për shpëtim.
Ftesa për faljen e namazit:
Përgatitje për të dalë përpara Allahut në namaz, përgatitje për ditën e takimit me Allahun, në ditën e gjykimit:
_Eja nē namaz,
Eja në shpëtim,
Largo çdo të keqe,
Fito rehatinë,
Dorëzoju Allahut,
Shprehe robërinë,
Në ruku dhe sexhde,
Më i bukuri afrim,
Me Krijuesin tënd,
Prej të Cilit merr frymë.
Eja në namaz,
Eja në shpëtim,
Dorëzoju Allahut,
Shprehe robërinë,
Kush është më i sigurt në thënie,
Se Allahu ynë?!
Zoti i vërtetë, ç'i bukur premtim,
Në Kur'anin e shenjtë,
Kur'anin Kerim.
Pra, Ezani është Ftesa për Faljen e Namazit nga besimtarët, që i besojnë Zotit të lavdishëm dhe fuqiplotë, Allahut të lartësuar dhe ditës së madhe të Ringjalljes, ditës së Gjykimit.
Ftesë dhe thirrje e bukur, për ata, që e besojnë librin e shenjtë, Kur’anin, në të cilin gjendet fjala e Zotit tonë, Allahut të madhëruar, ftesë edhe për ata, që besojnë librat e tjerë të mëparshëm hyjnor,Tevratin, Ungjillin, dhe Zeburin, shpallje të zbritur, prej të njëjtit dhe të vetmit Zot të botërave, të njerëzimit, Allahut subhane ue Te ala, e veçanërisht Kur’anin e famshëm, në të cilin është dëshmuar shenjtëria e Kur’anit fisnik, pacënueshmëria, ruajtja e tij, deri në ditën e gjykimit.
Falja e Namazit, këshillat e urta dhe të larta e të përsosura, dhe të tjera mirësi jetësore, dhe mrekulli hyjnore i gjejmë përgjatë Kur’anit të shenjtë, këtij thesari të madh, por edhe në ajetet e para të Sures më të madhe në Kuran, Surja El Bekare: “Ky është libri, që nuk ka dyshim në të,
(sepse është prej All-llahut) është udhëzues për ata që janë të devotshëm.”
“Të cilët e besojnë të fshehtën, e kryejnë faljen (namazin) dhe prej asaj që Ne u kemi dhënë, ata japin (zeqat, sadaka etj.)”
“Dhe ata, të cilët besojnë në atë që t'u shpall ty, dhe në atë që është shpallur para teje, dhe që janë të bindur plotësisht për (jetën e ardhshme në), botën tjetër (Ahiretin).”
“Të tillët janë të udhëzuar nga Zoti i tyre dhe vetëm ata janë të shpëtuarit.”
Surja El Bekare, ajeti 2,3,4,5,Kuran